Sport Ndërkombëtar

Lautaro flet për kualifikimin e Interit

Interi është finalisti i parë i Ligës së Kampionëve për edicionin 2022/2023.

“Nerazzurrët” triumfuan 1:0 (3:0 rezultati I  përgjithshëm) edhe në ndeshjen e dytë kundër Milanit.

Sulmuesi argjentinas, Lautaro Martinez realizoi golin e vetëm dhe të fitores për Interin në këtë përballje në minutën e 74-t.

“Uniteti i grupit e frymëzoi Interin të arrijë finale. E kam përjetuar në një Botëror, kjo është e rëndësishme. Nëse keni një grup të bashkuar, gjërat janë më të lehta. Ne kemi treguar se Interi e meriton këtë moment që është i rëndësishëm për një lojtar”, ka thënë tha Lautaro pas fitores.

“Sa herë që luaj, përpiqem të përmirësohem dhe të ndihmoj shokët e skuadrës. Pasi fituam Kupën e Botës, e dinim se kishim një mundësi të rëndësishme për të arritur në finalen e Ligës së Kampionëve dhe ja ku jemi. Duhet luajtur finalet. Kemi arritur në këtë moment, do ta japim maksimumin në finale”, deklaroi argjentinasi.

Për Interin kjo është finalja e parë e Ligës së Kampionëve pas 13 vjetësh dhe që nga viti 2010 kur edhe e fituan trofeun e çmuar.

Interi në finalen që do të luhet në Stamboll do të përballet me fituesin e takimit Manchester City – Real Madrid (1:1) që ndeshjen e dytë e luajnë sonte nga ora 21:00.

/Shqip.com