Lajme

Latifi: Unë jap dorëheqje nëse dikujt i jepet vaksinë me afat të skaduar

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se është i gatshëm të ofrojë dorëheqje në rast se ndonjë pacient në Kosovë merr vaksinë me afat të skaduar.

Këtë deklaratë Latifi e ka bërë si përgjigje për akuzat e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ndaj MSh-së për “fshehjen e numrit të vaksinave pa afat”.

“Asnjë vaksine nuk i ka kaluar afati, dhe asnjë vaksinë me afat të skaduar nuk ka me iu dhënë ndonjë pacienti në Kosovë. Nëse kjo ngjan, që dikush të merr vaksinën me afatin e skaduar unë jap dorëheqje atë ditë”, ka deklaruar ai në emisionin “Përballje” të Telegrafit.

Deputeti Haxhiu në fjalimin e tij në Kuvend po ashtu ka akuzuar MSh-në se nuk po i lejon të ketë qasje në dokumentet publike të saj.

“Edhe sot MSh-ja vazhdon të mbajë të fshehur numrin e vaksinave që u ka skaduar afati. Nga data 24 dhjetor 2021, unë kërkoj qasje në dokumentet publike në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkoj certifikata të analizës për çdo seri të vaksinave të importuar, por Ministria e nuk lejon qasje në dokumentet publike. Pra, MSh-ja ka dështuar të implementojë planin e vaksinimit”, ka thënë ai para deputetëve.

Kjo nuk është hera e parë që Haxhiu fajëson Ministrinë e Shëndetësisë për vaksina të skaduara. Një gjë të tillë e kishte bërë edhe në kohën kur ky dikaster udhëhiqej nga Arben Vitia.

Haxhiu pati deklaruar se vaksinat AstraZeneca të cilat Kosova i kishte pranuar donacion nga Norvegjia nuk është dashur të pranoheshin, pasi sipas tij, “këto vaksina i kanë larguar nga përdorimi vendet e BE-së për personat nën 65 vjeçar”.

Madje, ai u kishte bërë thirrje qytetarëve që të shikojnë afatin e skadimit para se të vaksinohen.

Një muaj më vonë, mbi 100 mijë vaksina AstraZeneca u patën asgjësuar në Kosovë, të cilave u kishte skaduar afati pasi qytetarët refuzonin t’i merrnin. E nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë gjë patën fajësuar deputetin Haxhiu./SHQIP.com