Lajme

Latifi u kërkon mërgimtarëve të vaksinohen para se të vijnë në Kosovë

Ish- Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se situata epidemiologjike është e jashtëzakonshme, ndaj u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të vaksinohen kundër COVID-19 para se të vijnë në Kosovë.

“Dhurata më e mirë që na sjellin diaspora është të vijnë shëndosh, me qenë shëndosh këtu dhe të kthehen mbrapa shëndosh”, ka thënë Latifi për EO.

“Këtë e bëjnë vetëm nëse janë të vaksinuar dhe nëse respektohen masat. Vlerësimin a do të ketë mbyllje a nuk do të ketë mbyllje e bëjmë çdo ditë. Varet nga rastet i marrim edhe masat përkatëse”.

Mes tjerash, ministri ka thënë se nëse qytetarët janë të pakujdesshëm dhe nuk vaksinohen, atëherë ekziston rreziku që të mbyllet vendi.

“Qëllimi nuk është të mbyllim ekonominë dhe shkollat, por duhet të mësohemi të jetojmë me Covidin sikurse që jemi mësuar të jetojmë edhe me gripin”.

“Unë nuk di kur do të përfundojë pandemia në Kosovë. Ne të vetmen mënyrë që kemi për mbrojtje kundër Covidit është vaksinimi edhe dozën e tretë e përforcuese. Mbi moshat 18 vjeçare është arritur të vaksinohet 60% e popullatës”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka bërë përgatitjet e nevojshme që vaksinimi i popullatës të jetë sa më masiv dhe që sistemi shëndetësor të jetë i gatshëm për çdo krizë që mund të ketë./SHQIP.com