Lajme

Latifi kërkon mbështetjen e Qeverisë pas përmbysjeve në Rahovec si pasojë e reshjeve të shiut

Smajl Latifi, kryetar i Rahovecit

Komuna e Rahovecit gjatë ditës së sotme është përballur më përmbytje si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Si pasojë, janë disa nga zonat ku kanë pësuar më së shumti. E kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës për ndihmë.

“Dëme të mëdha nga vërshimet dhe përmbytjet në Rahovec, kërkojmë përkrahjen urgjente të Qeverisë. Përmbytjet nga ujërat dhe pasojat që kemi në shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike, bujqësi etj. i kemi parë nga afër në shumë zona të komunës sonë, posaçërisht, në: Fortesë, Sapniq, Ratkoc, Malësi e Vogël, Gexhë, Celinë, Xërxë, Dejnë, Krushë e Madhe, Nagac, Çifllak, Hoçë e Vogël, Dobidol”, ka shkruar Latifi

Po ashtu Latifi ka bërë të ditur se do të formohen komisione të veçanta të vlerësimit, të cilat do të regjistrojnë dëmet e mëdha si në: amvisëri, ekonomi të shumta familjare e biznese, bujqësi dhe infrastrukturë publike.

“Po bëjmë krejt çka është e mundshme si komunë, e pas hartimit të raporteve të vlerësimit, do të kërkojmë nga institucionet qendrore në Prishtinë përkrahje direkte për mbulimin e dëmeve”, është shprehur i pari i Rahovecit.

Latifi ka bërë të ditur se Drejtoria e Shërbimeve Publike me Njësinë e Zjarrfikësve, Drejtorinë e Bujqësisë, Stacionin Policor Rahovec, kompanitë e kontraktuara nga komuna dhe ekipet e shumta vullnetare, janë duke punuar pandërprerë, në mbrojtje të qytetarëve dhe pronave të tyre si dhe për evitimin e rrezikut nga vërshimet, si dhe sanimin e pasojave.

Derisa moti të përmirësohet, probleme të tilla do të mund të na përsëriten, andaj bëjmë thirrje që rastet tuaja t’i adresoni në këtë numër emergjent:*029-277-555- Njësia e zjarrfikësve-Rahovec, ka thënë Latifi./Shqip.com