Lajme

Latifi: Kemi mjaft vaksina, oksigjen e shtretër për pacientët me COVID-19

Ish- Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, deklaroi se edhe nëse vazhdon të ketë rritje të numrit të rasteve me COVID-19, kanë kapacitete të mjaftueshme për të përballuar situatën, përcjell Shqip.com.

Duke folur për pasojat që i shkakton të infektuarve Coronavirusi, Latifi theksoi se mushkëritë janë më të prekurat.

“Kemi mjaft vaksina, oksigjen shtretër për pacientë. Ne nuk i dimë pasojat e gjata të Omicron. Ne i dimë pasojat që Covidi ka lënë. Është një grup i njerëzve që mund të kenë pasoja në mushkëri”, deklaroi ai për EO.

Tutje, ai ka bërë thirrje nga qytetarët që kanë marrë dy doza të vaksinës anti-COVID, duhet që patjetër të marrin edhe dozën e tretë.

Sipas tij, edhe personat që kanë marrë tri doza të vaksinës të riinfektohen me këtë virus, por që mund ta kalojnë atë më lehtë.

Po ashtu, ai thotë se masat ndërmirren së bashku me Ministritë e Qeverisë, e në veçanti edhe për mbylljen e shkollave.

Latifi thekson se nëse mbyllen shkollat, atëherë duhet të mbyllen të gjitha aktivitetet tjera.

“Veçmas duhet ta ruajmë aftësinë që fëmijët të shkollohen, por edhe shëndetin mendor të tyre. Secila shkollë e komunë do të bisedojnë për masat që duhet marrë. Tash për tash do ta koordinojmë me Ministrinë e Arsimit.

Unë nuk besoj se duhet të mbyllen shkollat. Nëse mbyllim shkollat duhet të mbyllim të gjitha aktivitet e tjera. Shkollat janë të fundit që duhet të mbyllen, por duhet të marrim masa që në shkollë fëmijët të jenë të sigurt të vaksinuar”, deklaroi ai.

Ndryshe, të premten, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID, sipas të cilave kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 22:00 deri në 05:00 si dhe orari i gastronomisë nga 05:00 deri në 21:00.

Miratimi i masave të reja ka ardhur për shkak të rritjes enorme të rasteve me Coronavirus, ku vetëm të shtunën janë regjistuar mbi tre mijë raste të reja./SHQIP.com