Lajme

Latifi: Bordi i Fondit për Trajtim Jashtë Vendit do të ketë ndryshime serioze

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi, ka paralajmëruar “ndryshime serioze” në Bordin e Fondit për Trajtim Jashtë Vendit.

“Të gjitha këto që janë shfaqur në media janë shumë problematike. Nëse vetëm edhe një pacient paguan më shumë se sa që duhet, është problematike. Organet përkatëse do të merren me këtë çështje. Bordi i fondit do të ketë ndryshme serioze dhe nëse dikush e ka keqpërdorur pozitën do të përgjigjet. Unë jam tmerruar kur kam shkuar në këtë Fond dhe kam parë në oborr dy dyqane që merren me rekrutimin e pacientëve që i dërgojnë jashtë vendit”, ka thënë ai.

Para anëtarëve të Komisionit, Latifi tha se pacientët po dërgohen jashtë vendit edhe për trajtime që mund të bëhen në Kosovë.

Ai ka paralajmëruar masa ndaj atyre që mund ta kenë keqpërdorur pozitën.

Ai ka thënë se çështja më e rëndësishme në shëndetësi është kujdesi parësor.

Sipas Latifit, janë gjashtë ligje, 18 udhëzime administrative dhe për secilën nga këto po punojnë grupet punuese. Ai ka thënë se nëse nuk rregullohet legjislacioni dhe mirëqenia e punëtorëve shëndetësorë nuk mund të ketë suksese në Shëndetësi.

Latifi ka thënë se janë duke punuar edhe në infrastrukturën e spitaleve.

“Ne kemi obligim moral që ta bëjmë prioritet shëndetësinë. Ne duhet ta luftojmë bazën për luftimin e konflikteve të interesit. Klinika Onkologjike ka bërë punë të jashtëzakonshme por i mungon hapësira dhe stafi teknik. Të gjitha këto duhet kohë të adresohen”, ka thënë ai.

Po ashtum, Latifi ka folur edhe për rritjen buxhetit për Shëndetësi dhe funksionalizimin e sistemeve të sigurimeve shëndetësore për të cilat thotë janë disa nga prioritetet e tij.

Ai ka thënë se janë në rrugë të drejtë për transformimin e shëndetësisë kosovare,

“Ata që punojnë në kujdesin parësor kjo ministri do t’i kushtoj kujdesin më të madh të mundshëm. 6 muaj kemi qenë të ngarkuar më shumë punë. Po punojnë në shumë rrugë në çështjen e legjislacionit që i kemi 6 ligje. Ne nuk kemi mundësi të krijojmë qendrën e traumës sepse është shërbimi i emergjencës. Po merremi me legjislacionin dhe mirëqenien e mjekëve. Neve na duhet të fillojmë procesin e akreditimit të spitaleve. Po punojmë edhe ndërtimin e infrastrukturës. Ne kemi obligim me u marr me shëndetësi dhe se kjo qeveri e ka bërë prioritet”, tha ai.

Latifi ka thënë se teksa ka vizituar një Klinikë në QKUK, ka vërejtur mungesë të stafit teknik.

“Rritja e buxhetit të shëndetësisë, funksionalizimi i sistemeve të sigurimeve shëndetësore, detyrimi me ligj për përdorimin e protokolleve në nivel kombëtar, janë disa nga prioritetet tona. Sot kam qenë në Onkologji dhe çdo ditë vizitojë klinika, dhe kam vërejtur se kësaj Klinike i mungon stafi teknik”, ka thënë Latifi./Shqip.com