Lajme

Largohet kontrolli kufitar Kosovë – Shqipëri gjatë fundjavave në muajt e verës

Një nga marrëveshjet që u bënë të ditura në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, të hënën, është qarkullimi i qytetarëve pa nevoja regjistrimi në kufi, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare.

Vendimi vlen për periudhën deri më 1 shtator 2022.

Pas kësaj date, është paralajmëruar një tjetër marrëveshje që do të krijojë lehtësira tjera të kalimit kufitar.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi, ka thënë se ky vendim është marrë për të mos u krijuar radhë në të dyja anët e kufirit.

“Nëpërmjet protokollit të parë që do nënshkruajmë do përcaktojmë që prej 1 qershorit deri në 1 shtator, për çdo fundjavë dhe çdo ditë feste shtetërore në kufijtë tanë, shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare në mënyrë që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë për qytetarët në të dyja anët. Në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do të kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare për të mos u krijuar asnjë radhë apo vonesë nga qytetarët nga të dy anët”, ka thënë Çuçi.

Një tjetër marrëveshje midis dy vendeve është ajo për shkëmbimin e të dhënave të gjendjes civile të shtetase që janë martuar në vendin tjetër.

“Një shtetas i Kosovës nëse martohet në Shqipëri, për çdo ndryshim të gjendjes civile do të lajmërohet në kohë reale nga MPB-ja e Shqipërisë dhe anasjelltas”, ka thënë Çuçi.

Takimi i Ministrit të MPB-së së Kosovës, Xhelal Sveçla dhe atij të Shqipërisë, Bledar Çuçi

Historiku i mbledhjes të dy qeverive:

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.

Gjatë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, ku shumica e tyre janë të pazbatuara.

Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.

Pas Thaçit do të ishte ish-kryeministri Isa Mustafa qe do të vinte në Tiranë dhe së bashku me Ramën në mbledhjen e 23 marsit 2015 do të nënshkruanin 5 marrëveshje, 4 memorandume  dhe 2 protokolle bashkëpunimi.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë 2021

Tradita vazhdoi edhe më 3 qershor 2016 në Prishtinë, ku ish kryeministri Mustafa ishte mikpritësi.

Më pas, me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr” mbledhja e 4-të e dy qeverive u mbajt ne Korçë më 27 nëntor 2017 ku në krah të kryeministrit Rama qëndronte kryeministri Ramush Haradinaj.

Një vit më vonë të njëjtit kryeministra mbledhjen e vazhduan më 26 nëntor në qytetin e Pejës.

Nën sloganin “Bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij” u mbajt mbledhja e gjashtë më 2 tetor 2020 ne Tiranë, ku kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti.

Vetëm pas 7 viteve takime dhe mbledhje, me vendimin e së mërkurës të qeverisë shqiptare një shtetas nga Kosova mund të marrë lejen e qëndrimit vetëm me një aplikim për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe lejen e punës.

Ndërsa në Kosovë, që prej qershorit të 2021-tës qeveria ka vendosur heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, është rënë dakord që qytetarëve të dy vendeve do t’u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve.

Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara janë në fushën e tregtisë.

Për shkak të moszbatimit të një pjese të marrëveshjeve të firmosura, dy qeveritë kanë ngritur edhe një sekretariat koordinues ndërqeveritar./Shqip.com