Lajme

Largohet grupi i fundit i qytetarëve afganë nga Kosova, Sveçla: Jam i lumtur që ia dolëm mbanë

Qytetarët afganë duke u larguar nga Kosova

Është larguar grupi i fundit i qytetarëve afganë nga Kosova, të cilët ishin akomoduar në kampin “Bechtel” në Ferizaj.

Kështu ka bërë të ditur, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se së bashku me Qeverinë e Kosovës kanë pranuar të marrim përsipër këtë proces pa asnjë dilemë dhe me përgjegjësi të lartë.

“Falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët tanë, jemi drejt finalizimit të suksesshëm të këtij procesi. Jemi angazhuar maksimalisht bashkë me partnerët tanë që çdo kërkesë e të strehuarve të plotësohet në afat optimal dhe të sigurojmë mirëqenie e kushte të mira për të gjithë”, ka shkruar Sveçla.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, është shprehur i lumtur, që sipas tij si shtet ia dolëm mbanë edhe në këtë proces dhe që të gjithë ata që u strehuan në kampin “Bechtel” në Kosovë po nisin një jetë të re në shtetet mikpritëse./Shqip.com