Lajme

Largohen nga puna dy zyrtarë të Shërbimit Korrektues, shkak rasti i Deharit

Foto Ilustrim: Shërbimi Korrektues i Kosovës

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se përfundimisht ka larguar nga puna, Burim Buleshkajn, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK dhe Destan Zogajn, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren.

“Ndaj tyre ishte iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.

Gjatë hetimit dhe rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë e tyre, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka konstatuar se lidhur me rastin në fjalë, B.B dhe D.Z janë përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Shërbimi Korrektues.

Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës duke u bazuar në këto shkelje ka vendosur largimin e të dy nëpunësve civil nga puna.

Në shtator të vitit të kaluar, ministrja Haxhiu e kishte pranuar një raport nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, ku u sqaruan procedurat brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

“Marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave”, kishte thënë Haxhiu.

/Shqip.com