Largimi i profesionistëve – “në Kosovë është pothuajse e pamundur ta ushtrosh profesionin”
Për dy vjet punoi si mjek në Kosovë, por i kënaqur me kushtet e punës nuk ishte – kjo e detyroi që të marrë vendimin e largimit nga vendi, për ta vazhduar karrierën profesionale në Zvicër.
Valdrin Dobra nga Komuna e Skenderajt “u detyrua” që në vitin 2019 ta lë Kosovën.
Thotë se arsye për këtë është “ideja e avancimit profesional konform kohës dhe zhvillimit mjekësor botëror”.
Në këtë aspekt, sipas tij, Kosova aktualisht “nuk të ofron asgjë”.
“Sa kam qenë në Kosovë duke ushtruar profesionin e mjekut në pamundësi për të bërë një komperacion të duhur objektiv në mes të sistemeve, kam pasur bindjen që kemi kushte deri diku optimale. Por, tash që mund të bëjë një krahasim në mes të dy e më shumë sistemeve shëndetësore, mund të them që në Kosovë kushtet për ta ushtruar profesionin e mjekut janë shumë të vështira”, thekson Dobra për Shqip.com.
Konsideron se “vetëm dedikimi jetësor dhe profesionalizmi i stafit mjekësor në Kosovë bëjnë që sistemi mjekësor të funksionojë deri diku”, sepse në rrethana të tjera thotë se do ishte pothuajse e pamundur.
“Po theksoj që nuk jam duke bërë krahasim në tërësi të sistemit mes vendit tonë të brishtë dhe vendeve evropiane me një demokraci e sistem të konsoliduar, por po bëj vetëm dallimin parcial të kushteve bazike të një sistemi që nuk kërkojnë hiq më shumë se vetëm një vullnet politik me disa politika të duhura për t’u realizuar”.
I pyetur nëse mendon që në një të ardhme të kthehet për t’i kontribuuar vendlindjes, Dobra thotë se “në subkoshiencën time gjithmonë është prezente dëshira që një ditë të kthehem dhe të kontribuoj aq sa mundem në vendin tim”.
Si Valdrin Dobra janë edhe qindra mjekë të tjerë, të cilët kanë ikur nga Kosova për të kërkuar punë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Oda Mjekëve të Kosovës në katër vitet e fundit ka lëshuar gjithsej 476 Certifikata mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale për mjekët të cilët janë anëtarë të saj.
Nga kjo odë thonë për Shqip.com se bazuar në pyetësorin e realizuar, arsye kryesore e tërheqjes së Certifikatës mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale del të jenë kushtet e punës, cilësia e shkollimit specialistik dhe të ardhurat e ulëta.
Sipas tyre, është shqetësuese që “e ardhmja e shëndetësisë” po largohet, e ky shqetësim thonë se rritet për faktin se afër 80 për qind e të diplomuarve në Fakultetin e Mjekësisë e lënë Kosovën.
“Pa dyshim që është shumë shqetësues fakti i largimit të mjekëve të rinj nga Kosova, duke u nisur nga fakti që mjekët tanë të cilët po ikin nga shëndetësia kosovare janë të kualifikuar dhe të gatshëm për t’u kyçur në fushën e shëndetësisë, pra janë të gatshëm për treg të punës në fushën e shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
OMK-ja thotë se është koha që institucionet e vendit “të reflektojnë”.
“Institucionet tona duhet të krijojnë një politikë dhe strategji më të mirë me anën e të cilës do t’u jepej mundësia që të kontribuonin në vendin tonë, pasi që mosha mesatare e këtyre mjekëve është e re (31 vjeç) dhe kontributi i tyre në shëndetësi është i padiskutueshëm dhe i pazëvendësueshëm”.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ditë më parë ka thënë për media se përkundër trendit që vazhdimisht ka largim të mjekëve, “Kosova s’do të mbetet pa kuadro mjekësore”.
Ai ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë do të fokusohet të krijojë kushte që profesionistët e ri shëndetësorë ta gjejnë veten në vendin e tyre dhe të kenë mundësi edhe të punësohen.
Gjithashtu, arsyetohet se largimi i kuadrove nuk është dukuri e izoluar veç në Kosovë.
“Fenomeni i largimit të kuadrit mjekësor nuk është diçka që ka prekur vetëm Kosovën. Është duke ndodhur edhe në vende tjera”, ka pohuar Hoti.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjithsej 8,724 qytetarë të Kosovës janë larguar gjatë vitit 2020, përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë, por pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2020, ishin emigrantët legalë.
Nëse konsultohen të dhënat e ASK-së, arsyet e emigrimit legal janë bashkimi familjar, martesat, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme, studime afatgjata me punësim etj.
Përveç vendeve të BE-së, një numër i kosovarëve ka emigruar edhe në vende të tjera, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqi, Kanada dhe vende të tjera./SHQIP.com