Lajme

Lajçaku: Marrëveshja Kosovë-Serbi është e detyrueshme

Miroslav Lajçak - Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi
Miroslav Lajçak - Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se marrëveshja mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraqet një pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Në një intervistë që Lajçak e dha, për herë të parë prej se Kurti dhe Vuçiq u pajtuan për të zbatuar Marrëveshjen e BE-së, më 18 mars në Ohër – ai nënvizoi se të dyja palët duhet t’i zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Aty bën pjesë edhe Neni 4, i cili thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Lajçak theksoi se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai pranoi se BE-ja kishte një plan më ambicioz: nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizim dhe një draft-aneks me afate kohore dhe detyra të qarta.

Por, ai tha se udhëheqësit e dy vendeve nuk kanë mundur të bien dakord për secilën pikë dhe se presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin. Prandaj, propozimi ka ndryshuar.

Lajçak paralajmëroi një takim të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë së shpejti, për të filluar, siç tha, punën për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes.

Në intervistë, ai foli fillimisht për pajtimin e arritur në Ohër dhe për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes/REL

/Shqip.com