Lajme

Lajçak: Vazhdojmë përpjekjet për depërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës

Emisari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka thënë se udhëtimi i tij në këto dy vende, si pjesë e përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes së situatës së tensionuar në veri të Kosovës i ka ndihmuar atij të kuptoj më shumë situatën rreth kësaj pjese të vendit.

Ai ka thënë se në takimet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Kosovë, si dhe presidentin Aleksandar Vuçiq në Serbi, fokusi kryesor ishte eksplorimi i opsioneve në rrugën përpara në përputhje me kërkesat e BE-së për de-përshkallëzim, zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në dialog.

“Në Kosovë, takova edhe Shefin e ri të Misionit të Sundimit të Ligjit BE-së në Kosovë, gjeneralmajor Barbano dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia Diskutuam për situatën e sigurisë në Kosovë, nevojën urgjente që të gjitha palët të ndërmarrin hapa konkret për de-përshkallëzim dhe eksploruam opsionet që organizatat tona të kontribuojnë. Udhëtimi më ndihmoi për të qartësuar më mirë situatën në terren dhe hapat e ardhshëm të nevojshëm”, ka shkruar Lajçak.

Tutje ka bërë të ditur se do të vazhdoj përpjekja BE-së për t’u rikthyer në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

/Shqip.com