Lajme

Lajçak sonte në Prishtinë për propozimin evropian

Takimi Kurti - Lajçak
Takimi Kurti - Lajçak

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mbrëmjen e 25 janarit pritet të qëndrojë në Prishtinë.

Për këtë vizitë ende nuk ka detaje të hollësishme, por diplomatët në Bruksel pohojnë se edhe këtë vizitë duhet parë si vazhdim të përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme, Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka thënë se nëse Kosova dëshiron të normalizojë marrëdhëniet me Serbië, duhet ta pranojë planin franko-gjerman.

Ai përmes Twitterit ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme ka pasur një bisedë me kryeministrin Kurti, ku është diskutuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kujtojmë se, para disa javësh, Chollet ka qenë për vizitë në Kosovë dhe Serbi, ku ka zhvilluar takime me krerët institucional të dyja shteteve.

Ndërsa presioni për arritjen e një marrëveshje finale vjen e duke u shtuar, në Kosovë javën e kaluar kanë qëndruar pesë emisarë të huaj, ku mbajtën një takim me dyer të mbyllura me kryeministrin Kurti.

/Shqip.com