Lajme

Lajçak: Procesi i Berlinit është mundësi e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor

Miroslav Lajçak

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka fol lidhur me Samitin e sotëm për Procesin e Berlinit.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka thënë se Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë e bashkëpunimit të ngushtë rajonal.

“Samiti i sotëm i Procesit të Berlinit ishte një mundësi e mirë për të forcuar bashkëpunimin rajonal më të ngushtë dhe gjithëpërfshirës midis gjashtë vendeve të Ballkanit për të përforcuar angazhimin për të ardhmen e tyre, për të diskutuar çështje urgjente, duke përfshirë energjinë”, shkroi Lajçak.

Pas shumë vitesh bllokade, qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnje e Hercegovinës, do të mund të lëvizin pa regjim vizash.

Dy vendet e lartpërmendura, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbi janë pjesë e nënshkrimit të tri marrëveshjeve të nënshkruara në kryeqytetin gjerman, ku nikoqir ishte kancelari Olaf Scholz.

Bazuar në rregullat e BE-së, marrëveshjet që janë nënshkruar sot janë ato për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale, bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Scholz shtoi se gjatë vitit të parë të mandatit të tij ka biseduar me shumë krerë qeverish dhe shtetesh të rajonit, veçanërisht për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sepse stabiliteti i rajonit, siç tha ai, nuk mund të shihet i ndarë nga ai i stabilitetit të Evropës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti, është shprehur se samiti i Berlinit është shumë i rëndësishëm.

Më tutje Kurti është shprehur se nuk na nevojitet alternativë të tjera pos Procesit të Berlinit.

Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se marrëveshjet e arritura, do të kontribuojnë në forcimin dhe bashkëpunimin me BE-në.

Megjithatë, marrëveshjet e nënshkruara në kryeqytetin gjerman, hyjnë në fuqi pas kryerjes së procedurave të brendshme të ratifikimit në secilin nga gjashtë shtetet.

Që nga viti 2014, Procesi i Berlinit ka synuar përmirësimin dhe intensifikimin e integrimit rajonal.

Ai është krijuar për të ndihmuar në përshpejtimin e harmonizimit më të ngushtë të të gjithë rajonit me BE-në.

Procesi i Berlinit përqendrohet në këtë kontekst në fusha të tilla si zhvillimi i infrastrukturës dhe lidhja, biznesi, shkëmbimet rajonale të të rinjve, pajtimi dhe shkenca.

/Shqip.com