Lajme

Lajçak pas takimit me Abdixhikun: Për mua takimi e ka përmbushur qëllimin

Miroslav Lajçak - emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ky takim, por edhe ata me Krasniqin e Haradinajn, kanë qenë për t’i informuar për takimin e 18 marsit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij, ky takim ka pasur për synim që t’i informojë partitë opozitare personalisht, teksa thotë se është përmbushur qëllimi.

“Mendoj se është e rëndësishme në këtë pikë për mua të takohem me partitë opozitare dhe unë takova PDK-në dhe LDK-në, dhe i informova për procesin për pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar. Ata shpjeguan  pozicionet e tyre e tyre partiake, pra është gjithçka përgatitje e takimit të 18 marsit. Është gjithashtu e rëndësishme që ta dëgjojnë nga unë ata dhe jo vetëm nga mediet ose parlamenti. Dhe për mua takimi e ka përmbushur qëllimin”, thotë Lajçak.

Kujtojmë se, që nga dita e djeshme emisari Lajçak është duke qendruar në Kosovë, ku ka zhvilluar takime me krerët institucional dhe liderët e partive opozitare.

Kjo vizitë dhe këto takime janë zhvilluar në vigjilje të 18 marsit, ku në Ohët të Maqedonisë pritet të mbahet takimi i dy liderëve, kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, në përpjekje për të nënshkruar implementimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

/Shqip.com