Lajme

Lajçak nga Beogradi: Asociacioni do të bëhet, palët duhet të dakordohen për statutin

Miroslav Lajçak - Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të bëhet.

Ai është shprehur se marrëveshja e Asociacionit nuk është përmbushur për dhjetë vjet, por shtoi se nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin e Komunave Serbe.

Besoj se propozimi ynë është i drejtë dhe i dobishëm për Serbinë dhe rajonin, nuk jam këtu për të ndryshuar historinë por për të ndryshuar të ardhmen. Unë do të doja të krijoja marrëdhënie ku njerëzit mund të lëvizin lirshëm, të bëjnë biznes, të studiojnë dhe mendoj se është në interesin e të gjithëve”, tha Lajçak.

Lajçak dje dhe sot është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se janë bërë përgatitjet e fundit para takimit të Ohrit.

Ne patëm një takim më 27 shkurt në Bruksel dhe aty u ra dakord që nuk ka më nevojë të diskutohet teksti i propozimit tonë, i cili është bërë publik në faqen e BE-së. Megjithatë, në mënyrë që ai tekst të zbatohet, ne duhet të biem dakord për rregullat. Ky është qëllimi i bisedës sime me presidentin Vuçiq“, tha Lajçak.

Ai ka shtuar se javën e kaluar ka qenë në Prishtinë me të njëjtin qëllim, për të marrë mendimin e të dyja palëve lidhur me aneksin për zbatimin e marrëveshjes.

Ai thotë se shumë në Kosovë kanë frikë se Asociacioni do të dëmtojë funksionimin e shtetit, prandaj duhet frymëzim.

“Duam t’u tregojmë se nuk duhet të kenë frikë, se ka shumë modele të tilla në Evropë dhe funksionojnë mirë”, nënvizoi Lajçak.

I pyetur nëse Kosova është e pavarur për të, Lajçak është përgjigjur se ka më shumë se 20 vjet që merret me këtë fushë dhe sheh se sa njerëz duan të bëhen pjesë e BE-së, por në këtë rast e kaluara po e pengon rrugën për të ardhmen.

“Unë ofroj përvojën time për të zgjidhur problemin, por jo që dikush të fitojë dhe dikush të humbasë, por për të hapur dyert evropiane. Kjo është filozofia e veprimeve të mia”, tha Lajçak në një intervistë për RTS.

Ai beson se problemit dhjetëvjeçar të Kosovës duhet t’i jepet fund një herë e përgjithmonë.

/Shqip.com