Lajme

Lajçak në ditën e fundit të vizitës në Kosovë: Bislimi më tha se nuk ka arkiva të UÇK-së

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se pas takimit me kryenegociatorin Kosovar, Besnik Bislimi, ky i fundit i ka thënë se se nuk ka arkiva të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton SHqip.com.

Përmes një konference për media, Lajçak tha se në takim me Bislimin janë dakorduar që nuk do të ketë pengesa nga palët për kyçje në arkiva.

“Nuk ka pasur diskutime speficike për arkivat, ka pasur rikonfirmim se nuk do të ketë pengesa nga palët për të pasur kyçje në arkiva kjo është çfarë është thënë edhe para një viti. Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se s’ka arkiva të UÇK-së, por vetëm arkivë shtetërore të Kososvës”, tha Lajçak.

Tutje, ai ka refuzuar të komentoj deklaratën e kryeministrit, Albin Kurti, për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, teksa tha se është këtu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Nuk do të komentoj në deklarata të askujt sepse jemi këtu të normalizojmë marrëdhniet dhe nuk bëj asnjë koment publik për këtë”, tha ai.

Po ashtu, Lajçak tha se është e rrezikshme që të flitet për një datë të caktuar të arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve.

“Ne diskutuam për datat e mundshme të takimit të ardhshëm me zyrtarët shtetërorë të Kosovës për të cilat do t’i diskutoj edhe në Beograd.  Është e rrezikshme të flitet për një afat kohor të arritjes së marrëveshjes, çfarë është e rëndësishme është se dy palët janë shprehur të gatshme për dialog. Është duke shkuar”, u shpreh ai.

Ndryshe, Lajçak është duke qëndruar në Kosovë tash e tri ditë, ku është takuar me krerët e shtetit si dhe me partitë opozitare, lidhur me çështjen e dialogut.

Lajçak është takuar të premten për herë të dytë gjatë kësaj vizite me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e delegacionit kosovar, Besnik Bislimi./Shqip.com