Lajme

Lajçak kërkon urgjentisht të arrihet marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë për targat

Miroslav Lajçak

Përfaquesi i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka kërkuar urgjentisht të arrihet një kompromis midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të automjeteve.

Lajçak po ashtu ka njoftuar se ekspertët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për të diskutuar rreth çështje së të targave.

“Ekspertët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për takimin e 7-të të GP-së për targa. Me afrimin e afatit, është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon. Është përgjegjësi e të dyja palëve të bien dakord për një zgjidhje”, shkroi ai në tëitter.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do të formojnë një grup punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes./Shqip.com