Lajme

Lajçak: Ishte një raund i ndryshëm, Kurti dhe Vuçiq nuk u grindën

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak

U deshën më shumë se një vit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të takoheshin në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

Pavarësisht tensioneve të paprecedentë, kryenegociatori evropian Miroslav Lajçak thotë se ka arsye ta shohë takimin pozitivisht pasi të dy palët diskutuan për herë të parë qëllimin përfundimtar: një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ishte një raund shumë i ndryshëm. Ne patëm një diskutim shumë profesional, të fokusuar dhe me respekt, ata (Kurti dhe Vuçiq) nuk u grindën, ata respektuan vizionet që kishte secili dhe ishin të vetëdijshëm për dallimet”, thotë Lajçak në një intervistë me BBC në serbisht.

Bisedimet e mbajtura të enjten e kaluar në Bruksel nuk sollën zgjidhje për çështjen e dokumenteve hyrëse-dalëse, që Qeveria e Kosovës paraprakisht kishte njoftuar se nga 1 gushti në pikat kufitare do të fillojë lëshimi i dokumenteve hyrëse-dalëse për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë me letërnjoftime serbe, gjë që Serbia e ka bërë në drejtim të kundërt për më shumë se një dekadë.

Për këtë çështje Lajcak thotë se ata gjithmonë kanë disa zgjidhje të gatshme, por së pari inkurajojnë palët të tregojnë se si e shohin zgjidhjen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel, 18 gusht 2022

“Ne kemi disa propozime që janë aktuale, por sigurisht që nuk do të ndihmonte të flasim për to publikisht, ndërsa ne jemi ende duke i diskutuar ato.”

Ndërmjetësi evropian tha se nuk ka asnjë shqetësim. Çështja e dokumenteve hyrëse-dalëse është aktualisht më e rëndësishme për shkak të urgjencës së afatit që po afron.

“Unë mund të imagjinoj çdo situatë, duke përfshirë që të dyja palët të ndalojnë lëshimin e dokumenteve të tilla, por edhe skenarë shumë më të keq – ne duam t’i shmangim ato gjithashtu.”

Lidhur me ngjitësit në targa Lajcak tha se është opsion më i mirë se vendosja e targave të përkohshme.

“Ngjitëset janë padyshim më të mira se pjatat e përkohshme që njerëzit duhet t’i vendosnin dhe hiqnin. Është një masë e përkohshme dhe nuk kam dëgjuar që dikush të ankohet për të. Beogradi dhe Prishtina arritën një marrëveshje të përkohshme për targat vjeshtën e kaluar, kohëzgjatja e së cilës u zgjat për gjashtë muaj në prill. Kjo pjesërisht e zgjidhi praktikën e kahershme të ndërrimit të targave në ato të provës, të cilën shoferët nga Kosova detyroheshin ta bënin kur hynin në Serbi, dhe që Kosova synonte ta adoptonte për shoferët me targa serbe.”

Në përpjekje për të arritur një marrëveshje para 1 shtatorit, Miroslav Lajçak fillimisht do të vjen në Prishtinë dhe më pas në Beograd.

Ai do të shoqërohet nga i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar./Shqip.com