Lajçak dhe këshilltarët e Scholz e Macron arrijnë në Prishtinë, nisin takimin me Kurtin

I Dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak bashkë me këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Gjermanisë, Jens Plotner dhe të Francës, Emmanuel Bonne, kanë mbërritur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Ata u pritën në takim nga kryeministri, Albin Kurti.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ditë më parë ka thënë se qëllimi i vizitës është përparimi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas kësaj vizitë ata do të shkojnë edhe në Beograd për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Të hënën Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në letër thuhet se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.
“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhej, mes tjerash, në letër.
Ndryshe, Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.
Pas angazhimeve të tyre diplomatike, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse nga të dyja anët./Shqip.com