Lajme

Lajçak dhe Bislimi takohen në Vjenë, flasin për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar në Vjenë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Lajçak njofton se kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa shprehet se diskutimin do ta vazhdojnë në fillim të muajit shkurt edhe në Kosovë.

“I kënaqur për një takim konkret dhe konstruktiv për mënyrën se si të ecet përpara me dialogun për normalizim të raporteve, me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, sot në Vjenë. Pres të vazhdojmë diskutimet javën e ardhshme në Kosovë”, ka shkruar Lajçak në Twitter, përcjell Shqip.com.

Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq është mbajtur në korrik të vitit 2021.

Ndërsa, së fundmi çështja e referendumit serb ka ngritur tensione mes palëve. Serbia kërkonte që referendumi serb të mbahet në Kosovë.

Dialogu Kosovë-Serbi

Ndaj kësaj çështje kishin reaguar edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian të cilët i bënin thirrje Kosovës që ta lejonte mbajtjen e referendumit, madje, mbajtën një mbledhje me krerët shtetërorë të vendit.

Pas mbledhjes, kryeministri Albin Kurti thirri një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend e cila u mbajt një ditë më pas.

Në seancën e 15 janarit u votua një rezolutë për mosmbajtjen e referendumit në territorin e Kosovës.

Reagime pati edhe nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim.

Ky i fundit kishte paralajmëruar masa reciprociteti ndaj Kosovës, në rast se nuk mbahen zgjedhjet serbe më 3 prill.

Ndërkaq, të martën në Bruksel u mbajt takimi i Këshillit të Stabilizim Asocimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së.

Nga Brukseli, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell konfirmoi se javën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi do të qëndrojë i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Borrell tha se qëllimi i kësaj vizite do të jetë angazhimi për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve midis dy palëve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011./Shqip.com