Lajme

Kush është kirurgu që u emërua Ministër i Shëndetësisë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka emëruar kirurgun, Rifat Latifi, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Mjeku shqiptaro-amerikan, i cili jeton dhe vepron në SHBA, është kthyer në Kosovë të dielën e 14 nëntorit , për ta pranuar postin e ri shkruan Shqip.com.

Ministri i ri s’është emër i panjohur në Kosovë. Në vitin 2009, Latifi ka qenë këshilltar për shëndetësi nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Por, kush është Rifat Latifi?

Rifat Latifi lindi në Kllodernicë të Skënderajt më 1955.

Shkollën fillore e përfundoi në Turiqec,ndërsa Shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Në vitin 1982 i përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe po atë vit emigroi në SHBA.

Fillimisht u vendos në Hjuston,ku punoi në hulumtime shkencore.

Specializimin për kirurgji e filloi në Klinikën e Klivlendit,pastaj e vazhdojë në Universitetin e Jelës,ndërsa specializimin e dytë në traumatologji të përgjithshme dhe reanimacion e kreu në Nju Jork, College of Medicine.

Rifat Latifi, Ministër i Shëndetësisë.

Profesor universitar u bë pas  5 vjetve  të  mbarimit të specializimit dhe mbajti shumë poste akademike dhe organizative me rëndësi në mjekësinë botërore.

Gjatë karrierës së tij ai ka punuar në universitete dhe qendra spitalore me emër nëpër Amerikë, si Texas, Filadelfia, New York, Doha.

Aktualisht, është profesor i kirurgjisë dhe president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikan për shtetin e Arizonës.

Prof.Dr.Rifat  Latifi, është krijues dhe implementues i Programit të Telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri, program ky i financuar nga USAID.

Është laureat i çmimit prestigjioz dhënë nga “IDG’s Computerëorld Honors Program”, më 2011.

Prof. Latifi ka botuar disa   libra për mjekësi (kirurgji,nutricion, laparaskopi dhe telemjekësi) si dhe është autor i mbi 130  artikujve shkencorë.

Ai ka kryer specializimin në Kirurgji të Përgjithshme, një vit në Klinikën e Klivelandit, e pastaj në Universitetin Yale, që të dy këto institucione, nga më të mirat në botën mjekësore.

Pas specializimeve, shkon në Richmond, Virxhinia për një kohë të shkurtër, por do të përfundonte shumë shpejt në Tucson, Arizona.

Sot, ai punon si profesor i kirurgjisë në Universitetin e Arizonës.

Rifat Latifi,M.D.,FACS,FICS ,punoi më përkushtim në afirmimin e shëndetësisë shqiptare.

Kontributi i tij është i madh në themelimin e shërbimit të telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri.

Si ekspert në lëmin e kirurgjisë, përveç në universitete të ndryshme amerikane,për një kohë punojë edhe në Katar dhe në vende tjera botërore.

Në qendrat ku ai punoi u angazhua edhe në edukimin e mjekëve shqiptar./Shqip.com