Lajme

Kuvendi miratoi masat emergjente në furnizim me energji elektrike

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e qeverisë për masat emergjente në furnizimin e energjisë elektrike.

Vendimi i qeverisë u miratua me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Masat emergjente në furnizimin e energjisë elektrike janë të vlefshme në një kohëzgjatje maksimale deri 60 ditë që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Partitë opozitare nuk e kanë mbështetur atë duke thënë se një vendim i tillë nuk ndihmon në furnizim të qëndrueshëm me energji.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Masat e emergjencës, ndër të tjera, përfshijnë: Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, në seancën e kuvendit ka thënë se ka rritje të jashtëzakonshme të çmimeve në tregun evropian e cila sipas saj do të ndikojë negativisht edhe në Kosovë gjatë muajve në vijim.

“Kemi një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve në tregun evropian e cila do të ndikojë negativisht ngjatë muajve në vijim edhe në Kosovë në masën që ne detyrohemi të importojmë energji elektrike, për më tepër disa shtete evropiane kanë paralajmëruar ndalim të eksportit të vendeve fosile dhe gjatë muajve në vijim posaçërisht gjatë muajve të dimrit pastaj është e pritshme që disa shtete do të ndalojnë edhe eksporti ne energjisë elektrike”, ka thënë ajo.

Po ashtu, është njoftuar se menaxhmenti i KEK-ut së bashku me ekipet e mirëmbajtjes janë duke e bërë maksimumin që blloqet e termocentraleve të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën vendore.

Termocentralet e KEK-ut janë në funksion mbi 80% të kohës gjatë një viti, që, sipas qeverisë, është mbi mesataren botërore të punës së termocentraleve me thëngjill./Shqip.com