Lajme

Kuvendi i Kosovës voton pro rezolutës së LDK-së për dialogun me Serbinë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro rezolutës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për dialogun me Serbinë.

Për rezolutën e LDK-së, mbi 80 deputetë kanë votuar pro.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka propozuar rezolutë e si pikë kryesore ishte raportimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me dialogun me Serbinë.

E në fjalën e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në kohën kur në Kuvendin e Kosovës do të diskutohej për dialogun me Serbinë, vetë opozita e ka ndërprerë atë diskutim.

Ajo ka rekomanduar që rezolutën, Abdixhiku ta bëjë në zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës

“Abdixhiku jo që filloi të diskutojë për rëndësinë e dialogut por që filloi të bëjë analizë të cilën nuk e kishim dëgjuar të bëjë analizë komperative të marrëveshjeve të nënshkruara nga subjekti i tij në 2015, 2020 dhe dëmet në procesin e dialogut”, ka thënë Kusari.

Më tutje Kusari-Lila ka thënë se Abdixhiku nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka akuzuar Kurtin dhe Qeverinë për izolim dhe mos bashkërendim të veprimeve me aleatët tanë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të diskutohet për dialogun me Serbinë.

Sipas Gashit në nenin 7 të propozimit franko-gjerman flitet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të vijë në Kuvend për të raportuar lidhur me takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.

“Kryeministri i Kosovës duhet të vijë në Kuvend të tregojë se pse është tërhequr nga njohja reciproke me Serbinë. Ai duhet të vijë të tregojë se pse nuk është ajo marrëveshje finale”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur në emër të Grupit të tij Parlamentar ku tha se e mbështetë mocionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ku u kërkua debat parlamentar me kryeministrin e Kosovës lidhur me takimin e së hënës në Bruksel.

“Ka shumë çka të të thuhet për këtë marrëveshje. Për t’iu adresuar mocionit që u bë, ne e mbështesim kërkesën për debat. Këtu duhet të debatojmë dhe të diskutojmë . ne e kemi një debat të hapur i cili është ndërprerë për shkak të ikjes së kryeministrit dhe normalisht për dialogun me Serbinë nuk mund të flasim pa kryeministrin”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se marrëveshja e së hënës nuk mund të hyjë në fuqi pa u sjellë në Kuvend të Kosovës për ratifikim.

Pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë mbështetur mocionin e Lidhjes Demorkatike e cila parasheh debat parlamentar me kryeministrin Albin Kurti lidhur me takimin e së hënës në Bruksel.

Shefi i GP Parlamentar të AAK-së, ka thënë se jemi në terr informativ për dialogun.

“Jemi në terr informativ për dialog. E kemi një marrëveshje për të cilën e kemi dhënë qëndrimin tonë, por debate është legjitim dhe forma më demokratike sepse ne jemi ata që përfaqësojmë popullin dhe kjo qasje tregon shumë për këtë Kuvend. Unë e mbështes kërkesën e Abdixhikut”, tha Tahiri.

Tahiri tha se janë dy mundësi, ose të krijojnë debat të ri parlamentar ose ta vazhdojnë atë që e kanë të hapur me Kurtin.

/Shqip.com