Lajme

Kuvendi i Kosovës e miraton në lexim të parë Projektligjin për KPM-në

Pjesëtarë të ekipeve mediale në Kosovë duke mbuluar një ngjarje në Prishtinë.
Pjesëtarë të ekipeve mediale në Kosovë duke mbuluar një ngjarje në Prishtinë.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten në lexim të parë Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Projektligji mori mbështetjen e 61 prej 62 deputetëve të pranishëm në seancë, mjaftueshëm sa për ta kaluar pengesën e parë.

Ai duhet të votohet edhe në lexim të dytë në Kuvend, para se të bëhet ligj.

Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.

Ky legjislacion i nxjerrë nga Qeveria e Kosovës dhjetorin e kaluar, ka nxitur kritika brenda dhe jashtë vendit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në këtë ligj.

Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se ndryshimet në Projektligjin për KPM-në duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.

Aktualisht, tekstet e publikuara në mediat online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës. /REL

/Shqip.com