Lajme

Kushtetuesja vendos për rastin e pagesës së rrymës prej 11 milionë eurosh për komunat veriore

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se kërkesa e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetëve tjerë ku u kërkua vlerësimi i kushtetueshmërisë për pagesën e 11 milionë eurove për shpenzimet e rrymës në veri, është e pranueshme.

Sipas njoftimit, Gjykata ka sqaruar se kërkesa është e pranueshme që vendimi nuk përbën shkelje të aktit më të lartë juridik të shtetit të Kosovës.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete të cilat do të kompensoheshin  nga “dividendë apo ndonjë mekanizëm tjetër”.

Gjykata sqaroi se objekt i vlerësimit kushtetues në këtë rast është vetëm kushtetueshmëria e aktit të kontestuar të Kuvendit të 6 majit 2021.

Kushtetuesja vendosi që akti i kontestuar i Kuvendit është në pajtueshmëri me nenin e Kushtetutës “Barazia para Ligjit” si dhe vendosi që të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme dhe atë seancë dëgjimore.

Tutje, Kushtetuesja thotë se akti i kontestuar në Kuvend rezulton në dallim të trajtimit të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër komunat në veri të vendit, por që thekson se ky dallim në trajtim ka një “justifikim objektiv dhe është i arsyeshëm” dhe rrjedhimisht nuk rezulton me diskriminim.

“Për pasojë, dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se nxjerrja e Aktit të kontestuar të Kuvendit ka rezultuar në dallim në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, megjithatë, ky dallim në trajtim ka një “justifikim objektiv dhe të arsyeshëm” dhe rrjedhimisht, nuk rezulton në diskriminim, sepse (a) është i përcaktuar me ligj; (b) ka ndjekur një qëllim legjitim; dhe (c) është proporcional, dhe për pasojë, nuk është nxjerrë në papajtueshmëri me nenet 24 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në vendim./SHQIP.com