Lajme

Kushtetuesja merr vendim për rastin që lidhet me presidenten Osmani

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka vendosur lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AA.nr.29/2021] të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

Kjo kërkesë ishte parashtruar nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) dhe Partia Liberale Egjiptiane (PLE), të përfaqësuara nga Albert Kinolli dhe Veton Berisha.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesën e parashtruar nga PREBK, të deklarojë të papranueshme, si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe (ii) kërkesën e parashtruar nga PLE, të deklarojë të pranueshme për shqyrtim në merita; ndërsa, me shumicë, ka vendosur që (iii) të konstatojë që Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021, sipas paragrafit 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iv) të konstatojë që ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e palëve të treta. Aktgjykimi do të plotësohet me mendim konkurrues”, thuhet në njoftimin e kushtetueses.

Organi më i lartë gjyqësor ka vlerësuar se vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit.

/Shqip.com