Lajme

Kushtetuesja i jep të drejtë Qendron Kastratit, MASHT-i kishte marrë vendim antikushtetues

Gjykata Kushtetues ka njoftuar se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që drejtohet nga ministrja, Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hudhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qendron Kastrati.

Ministria e Arsimit, duke u thirrur në disa nene të Udhëzimit Administrativ kishte ndërhyrë dhe vendosur lidhur me themelimin apo shuarjen e shkollave nëpër Komuna.

Kujtojmë, se udhëzimi i Ministrisë kishte ardhur pas vendimeve për riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës në vitin 2019, riorganizim ky i cili ishte iniciuar përmes vendimeve përkatëse të ish-kryetarit të Komunës, Qëndron Kastrati, me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetueses, Udhëzimi i Ministrisë sa i përket kompetencës për vendimmarrje të plotë të pushtetit qendror për themelimin dhe shuarjen e institucioneve të nivelit para-universitar në komuna, cenon kompetencat vetantake të komunës.

“Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të 23 prillit 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (në tekstin e mëtejmë: MASHTI). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Kamenicës bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

/Shqip.com