Lajme

Kush qëndron pas alarmeve të rrejshme për bombë në Aeroport?

Numër i madh i udhëtarëve që kishin prerë biletën për të udhëtuar nga Roma në Prishtinë, e bënë udhëtimin për në Kosovë nën kërcënimin e shpërthimit të bombës.

Ky rast ka ndodhur në vitin 2022.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ky është njëri nga pesë rastet për paralajmërim për bombë gjatë vitit të kaluar.

“Në vitin 2022, kemi pesë (5) raste. Kemi pranuar një raport njoftues nga Policia e Kosovës, lidhur me kërcënimin për praninë e një bombe në aeroplanin e kompanisë “Wizz Air”, drejtimi i fluturimit Romë – Prishtinë. Rasti në fjalë është deleguar në kompetencë të Prokurorisë Themelore me datë 08.06.2022”, thonë nga Prokuroria për Shqip.com.

Kërcënimet për bombë vazhduan edhe këtë vit, duke shkaktuar pritje të gjata të udhëtarëve e anulim të një numri jo të vogël të linjave të udhëtimit për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Deri më tani, të gjitha kërcënimet për bombë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kanë rezultuar të rrejshme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Shqip.com se gjatë vitit 2022-23, janë raportuar katër raste.

“Gjatë vitit 2023, Policia është përgjigjur në vendin e ngjarjes për dy raste të raportuara. Poashtu gjatë vitit 2022, janë raportuar dy raste të tjera”, thonë për Shqip.com nga Policia e Kosovës.

Forcat e rendit kanë bërë të ditur se të gjitha rastet janë trajtuar dhe pas veprimeve të ndërmarra, janë proceduar në Prokurori.

Policia e Kosovës (PK)
Policia e Kosovës

Nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë dhënë detaje për Shqip.com për rastet e raportuara gjatë këtij viti.

Prokuroria ka njoftuar se në vitin 2023, është raportuar një rast nga Policia e Kosovës, lidhur me një e- mail të dërguar në adresën elektronike të Aeroportit me përmbajtje kërcënuese për bombë.

“Kërcënim me bombë në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”, është rast tjetër, i cili është në fazën e hetimeve nga Prokuroria Speciale dhe për të cilin nuk mund të japim informata tjera”, thonë nga Prokuroria.

Prokuroria Speciale e Kosovës

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka treguar për Shqip.com, masat e ndërmarra dhe mënyrat se si ruhet siguria.

“Ne kemi disa faza të alarmit sipas planit emergjent. Me marrjen e një alarmi apo njoftimi që rrezikon sigurinë, ne hapin qendrën e emergjencës operative ku aty bëjnë pjesë shumë autoritete, e më pas në koordinim me autoritet përkatëse për veprimet e mëtutjeshme.”

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”

Policia nuk ka dhënë detaje nëse ka ndonjë pistë se nga kush kanë ardhur kërcënimet apo nëse kanë ndonjë të dyshuar.

Sikurse në të kaluarën, askush deri më tani publikisht nuk e ka marrë përgjegjësinë për kërcënimin me bombë.

/Shqip.com