Lajme Botë

Kush po i prinë zgjedhjeve për Kongres në SHBA?

Demokratët e presidentit amerikan Joe Biden i janë afruar më shumë mbajtjes së kontrollit të Senatit, me një fitore të parashikuar në Arizona pas zgjedhjeve afatmesme.

Tri ditë pasi amerikanët votuan, mediat kanë nxjerrë fitues demokratin Mark Kelly ndaj kundërshtarit republikan, Blake Masters.

Kjo do ta linte Senatin me 49 vende të drejtuara nga demokratët dhe po aq nga republikanët.

Vetëm Nevada dhe Gjeorgjia nuk janë vendosur ende.

Numërimi i votave në Nevada është duke shkuar ngushtë, ndërsa gara e Gjeorgjisë do të përcaktohet me balotazhin e zgjedhjeve muajin e ardhshëm.

Nëse demokratët fitojnë njërën nga dy garat e mbetura, ata do të kenë nën kontroll Dhomën e Sipërme të Kongresit, sepse zëvendëspresidenti i SHBA-së mund të hedhë një votë barazimi në emër të tyre.

Republikanët ende mund të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, pasi votat vazhdojnë të numërohen nga një pjesë e vogël e zonave pas zgjedhjeve të së martës.

Nëse republikanët fitojnë njërën ose të dyja dhomat e Kongresit, ata mund të pengojnë një pjesë të madhe të agjendës së presidentit Biden.

Rezultati aktual, është një goditje tjetër për republikanët, të cilët shpresonin për një “valë të kuqe” – një përplasje elektorale që do të sillte një qortim të ashpër ndaj Presidentit Joe Biden dhe demokratëve.

Ndërsa partia ka bërë lëvizje modeste dhe është favorite për të fituar Dhomën e Përfaqësuesve, Senati mbeti i kontestuar ashpër dhe demokratët kanë performuar më mirë se sa pritej.

Biden ka thënë se zgjedhjet ishin një “ditë e mirë” për demokracinë amerikane.

Zgjedhjet afatmesme janë për Kongresin, i cili përbëhet nga dy pjesë – Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

Kongresi bën ligje mbarëkombëtare. Dhoma vendos se cilat ligje votohen ndërsa Senati mund t’i bllokojë ose miratojë ato, të konfirmojë emërimet e bëra nga presidenti dhe, më rrallë, të kryejë ndonjë hetim kundër tij.

Këto votime mbahen çdo dy vjet dhe kur bien në mes të mandatit katërvjeçar të presidentit.

Çdo shtet ka dy senatorë, të cilët ulen për mandate gjashtëvjeçare. Përfaqësuesit shërbejnë për dy vjet dhe përfaqësojnë rrethe më të vogla.

/Shqip.com