Kush janë tre të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla?
Lum Dervishi, 24-vjeçar, Kenan Hasani, 23-vjeçar dhe Okan Hasani, 24-vjeçar po dyshohen nga Prokuroria Speciale se në mbrëmjen e 11 prillit, rreth orës 23:00 në lagjen “Bregu i Diellit” kanë sulmuar fizikisht gazetarin Valon Syla.
Dosja e Prokurorisë e përshkruan sulmin ndaj Valon Sylës si të motivuar me ide ekstremiste radikale.
Nën përcjellje të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, tre të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla janë dërguar mëngjesin e sotëm në Gjykatë në lidhje me seancën e procedurës paraprake pasi Prokuroria Speciale kërkoi që ndaj të njëjtëve të caktohet masa e sigurisë.
KALLXO.com ka arritur që të siguroj dosjen e prokurorisë në lidhje me dyshimet se tre të arrestuarit janë të involvuar në sulmin që ndodhi mbrëmjen e 11 prillit në Prishtinë.
Prokuroria përshkruan se sulmi ishte i motivuar me ideologji ekstreme radikale islame me motiv të nxitjes së urrejtjes fetare përçarjes e mosdurimit.
Kjo pasi që të dyshuarit pas një postimi në rrjete sociale nga Valon Syla kanë marrë shkak për ta sulmuar të njëjtin.
Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e të dyshuarve pasi ka konsideruar se të njëjtit nëse hetohen gjatë kohës sa janë në liri mund të arratisen, mund të përsërisin veprën penale duke marrë për bazë peshën e veprës të cilën kanë kryer pasi parashihet dënim me burg nga 1 deri në 8 vite.
/Shqip.com