Lajme Botë

Kush janë rebelët Huthi dhe pse po i sulmojnë anijet në Detin e Kuq?

Një anije mallrash duke u përcjell nga varkat e rebelëve Huthi në Detin e Kuq. Fotografia është publikuar nga Huthit më 20 nëntor 2023.
Një anije mallrash duke u përcjell nga varkat e rebelëve Huthi në Detin e Kuq. Fotografia është publikuar nga Huthit më 20 nëntor 2023.

Huthit e Jemenit, të lidhur me Iranin, po luajnë një rol përshkallëzues në konfliktin në Lindjen e Mesme, duke sulmuar anijet në Detin e Kuq, duke gjuajtur raketa e duke kryer sulme me dronë ndaj Izraelit, në një fushatë që ata thonë se synon të mbështesë palestinezët në luftën në Gazë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi më 19 dhjetor për krijimin e një operacioni shumëkombësh për të mbrojtur tregtinë në Detin e Kuq në përgjigje të sulmeve të rebelëve Huthi.

Roli i rebelëve Huthi ka shtuar rreziqet rajonale të konfliktit, duke vënë në rrezik linjat detare përmes së cilave transportohet shumica e naftës së botës dhe ka rritur shqetësimet në mesin e shteteve në Detin e Kuq, përderisa raketat dhe dronët e rebelëve Huthi fluturojnë drejt Izraelit.

Por, kush janë Huthit?

Historia

Në fund të viteve ’90, familja Huthi në veri të Jemenit ngriti një lëvizje për ringjallje fetare për sektin Zajdi, të islamit shiit, i cili dikur kishte sunduar Jemenin, por pjesa veriore e vendit ishte margjinalizuar dhe ishte varfëruar.

Ndërsa u rritën fërkimet me Qeverinë, ata zhvilluan një sërë luftash guerile me ushtrinë kombëtare dhe një konflikt të shkurtër kufitar me fuqinë sunite të Arabisë Saudite.

Fuqi në rritje

Fuqia e tyre u rrit gjatë luftës në Jemen që nisi në fund të vitit 2014, kur rebelët Huthi morën kontrollit e Sanas. E shqetësuar me rritjen e ndikimit të Iranit shiit përgjatë kufirit të saj, Arabia Saudite intervenoi më 2015 dhe udhëhoqi koalicionin e mbështetur nga Perëndimi në mbështetje të Qeverisë së Jemenit.

Huthit vendosën kontroll në shumicën e pjesës verore dhe në qendra të tjera të mëdha të populluara, ndërkaq Qeveria e njohur ndërkombëtarisht vendosi selinë në Aden.

Jemeni përjetoi më shumë se një vit një qetësi relative për shkak të përpjekjeve për paqe të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara. Arabia Saudite mban bisedime me Huthit në përpjekje për të ndalur luftën.

Roli në luftën në Lindjen e Mesme

Huthit hynë në konfliktin e fundit përderisa ai u përhap në mbarë Lindjen e Mesme, duke njoftuar më 31 tetor se kanë hedhur raketa dhe kanë kryer sulme me dronë në drejtim të Izraelit. Rebelët Huthi u zotuan se do të vazhdonin të kryenin sulme “derisa agresioni izraelit të ndalet”.

Veprimet e tyre i kanë bërë jehonë rolit të grupit libanez, Hezbollah, që mbështetet nga Irani, grup që ka sulmuar pozicionet izraelite në kufirin libanez, dhe të milicive irakiane që kanë sulmuar caqe të SHBA-së në Irak dhe Siri.

Duke ashpërsuar kërcënimet e tyre, Huthit thanë më 9 dhjetor se ata do të shënjestrojnë të gjitha anijet që nisen drejt Izraelit, pavarësisht nacionalitetit të tyre, dhe paralajmëruan të gjitha kompanitë ndërkombëtare të transportit detar që të mos bashkëpunojnë me portet izraelite.

“Nëse Gaza nuk pranon ushqimin dhe ilaçet që i duhen, të gjitha anijet në Detin e Kuq që udhëtojnë drejt porteve izraelite, pavarësisht nacionalitetit të tyre, do të shndërrohen në shënjestër të forcave tona të armatosura”, tha përmes një deklarate më 9 dhjetor një zëdhënës i rebelëve Huthi.

Slogani i rebelëve Huthi është: “Vdekje Amerikës, Vdekje Izraelit, mallkim për hebrenjtë dhe fitore për islamin”.

Lidhjet me Iranin

Shtetet e Bashkuara besojnë se Garda Revolucionare Islamike e Iranit po ndihmon në planifikimin dhe kryerjen e sulmeve me raketa dhe atyre me dronë nga rebelët Huthi.

“Mbështetja e Iranit për sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve komerciale duhet të ndalojë”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më 18 dhjetor.

Irani mohon përfshirjen.

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët për një kohë të gjatë ka akuzuar Iranin se armatos, trajnon dhe financon Huthit. Huthit mohojnë se janë bashkëpunëtorë të Iranit dhe thonë se ata prodhojnë vetë armët e tyre.

Arsenali

Rebelët Huthi kanë shfaqur aftësitë e tyre sa u përket raketave dhe dronëve gjatë luftës në Jemen në sulmet ndaj Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke shënjestruar instilacione të naftës dhe infrastrukturë jetike.

Arsenali i tyre përfshin edhe raketa balistike dhe dronë të aftë që të godasin Izraelin që gjendet mbi 1.600 kilometra larg nga Sana.

Raketat Tofan, Borkan dhe Quds të rebelëve Huthi janë të modeluara sipas armëve iraniane dhe, sipas ekspertëve, mund të godasin caqe deri në 2.000 kilometra larg.

Huthit gjuajtën dhjetëra herë këto raketa në Arabinë Saudite gjatë luftës në Jemen. Në shtator, rebelët Huthi ekspozuar për herë të parë raketat kundërtanke Barq-2, raketa detare dhe avionë luftarakë Mig-29.

Rebelët Huthi po ashtu kanë përdorur varka të shpejta të pajisura me mitraloz gjatë operacioneve të tyre ndaj anijeve. /REL

/Shqip.com