Lajme

Kush ishte Muharrem Fejza?

Asfaltimi i rrugës "Muharrem Fejza"

Rruga “Muharrem Fejza” është një ndër rrugët më të njohura në Prishtinë.

Kjo, jo për shkak të personit që rruga mban emrin, por për shkak të problemeve të shumta që ka paraqitur për banorët e lagjes Mati 1 në Prishtinë.

Megjithatë, qytetarët që banojnë aty nuk kanë njohuri se kush në të vërtetë është Muharrem Fejza.

“Muharrem Fejza? Nuk e njoh, veç ia kom ndi zërin. Prej rrethi deri atje ish Muharrem Fejza, kush e di çfarë njeri ish, gjithë këtë lagje me pas ai”, thotë një qytetar.

“Muharrem Fejza nuk po më kujtohet për momentin, e di që e mban emrin rruga, po nuk po më kujtohet”.

“Jo valla, veç po ia ndi emrin kësaj rruge”.

Por, kush ishte Muharrem Fejza?

Historiani i mesjetës, Azdren Shala, tregon për Shqip.com se Fejza ishte hero lokal, kontributi i të cilit lidhet kryesisht me Luftën e Dytë Botërore.

“Kontributi i tij lidhet kryesisht me fundin e Luftës së Dytë Botërore në zonën e Kosovës lindore dhe disa vende shqiptare në Republikën e sotshme të Maqedonisë Veriore. Dihet se në përfundim të asaj lufte të madhe, parimet e lirisë së popujve për vetëvendosje nga të mëdhenjtë e asaj lufte (ShBA, Angli dhe Rusi) u braktisën duke u krijuar hapësirë armiqësive regjionale. Në këtë mes, edhe popujt e Ballkanit nuk bën përjashtim. Kështu, në zonën e Kosovës lindore, patriotë shqiptarë anti-fashist u organizuan kundër rifillimit të fushatave ushtarake serbe që kishin për qëllim rianeksimin e tokave shqiptare”, tha  Shala për Shqip.com.

Si rezultat, Fejza ishte zgjedhur edhe komandant dhe sekretar i forcave “Mbrojtja Kombëtare për Kosovën Lindore”

“Në funksion të këtij qëllimi, në dhjetor të vitit 1944 u organizuan 1000 burra shqiptarë në zonën e Karadakut, Bujanocit dhe Preshevës formuan shtabin e luftës ku Muharrem Fejza u zgjodh komandant dhe sekretar i forcave “Mbrojtja Kombëtare për Kosovën Lindore”. E parë nga këndvështrimi i sotshëm, figura e Muharrem Fejzes është simbolika e shqiptarit që e lufton armikun e duhur në kohën e duhur. Ai gjatë Luftës së Dytë Botërore luftoi kundër nazistëve gjermanë, por në fund të asaj lufte ai e vazhdoi rezistencën edhe kundër pushtuesit serb”.

Rruga “Muharrem Fejza”, gjendet në lagjen Mati 1 në Prishtinë dhe është ndër rrugët më të banuara.

Në të njëjtët janë paraqitur probleme të shumta, në veçanti me asfaltimin e riasfaltimin e saj.