Lajme

Kush është shefi i UNMIK-ut, që dyshohet për lidhje me një spiun rus dhe që kishte kontakte me serbët në barrikada?

UNMIK
UNMIK

Danilo Rosales Diaz, i cili është shef i Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë që nga viti 2016, është bashkëpunëtor i shërbimeve të inteligjencës ruse. Informacionin për “The Geopost”, në kushte anonimiteti, e ka dhënë një zyrtar ndërkombëtar i cili punon në kuadër të UNMIK-ut në Prishtinë.

“Geopost” mëson se Danilo Rosales Diaz ka qenë shumë aktiv dhe me ndikim në aksionet radikale të ndërmarra nga serbët gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, kur u ngritën barrikada në komunat veriore me shumicë serbe.

Danilo Rosales Diaz në oborrin e UNMIK-ut

Një fotografi tregon praninë e tij në oborrin e stacionit policor në Mitrovicën e Veriut, pikërisht në kohën kur policët serbë po jepnin dorëheqje nga Policia e Kosovës, më 7 nëntor 2022.

Siç shihet, Diaz është duke biseduar me disa persona, të cilët sipas burimit tonë kanë qenë zyrtarë të policisë serbe. Ndërsa makina e tij, një Toyota me targa të Kombeve të Bashkuara është parkuar pranë UN22724.

Të dhënat e siguruara nga “The Geopost”, thonë se Danilo Rosales Diaz gjatë kësaj dite ka monitoruar situatën, duke i siguruar serbët se do të kujdeset personalisht për të arsyetuar heqjen e uniformave të Policisë së Kosovës në qarqet diplomatike të Kombeve të Bashkuara.

Danilo Rosales Diaz

Më herët ai ka qenë punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Nikaraguas. Nikaragua njihet si një nga shtetet aleate të Federatës Ruse.

Diaz ishte zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Nikaraguas në Kombet e Bashkuara kur shefi i tij, Cesar Mercado, u gjet i vdekur në banesën e tij në Bronx, SHBA, më 23 shtator 2010.

Vdekja e shefit të tij, i cili zëvendësoi Diazin, u klasifikua si vrasje nga policia lokale amerikane./The Geopost

/Shqip.com