Lajme

Kush është “Nazbugari”- ndërmjetësuesi i HIB Petrol për Zyrën greke, i njohur për organet e drejtësisë?

Afera e Naftës

Falsifikimin e dokumentacioneve e bën edhe më të besueshëm fakti se Xhaferi si menaxher gjeneral për lidhjen e kontratave nuk kishte pasur asnjëherë komunikim direkt me Zyrën ndërlidhëse greke.

Në këtë mes, del një person i tretë, i njohur me nofkën “Nazi”.

Në deklaratën e dhënë për hetuesin e Doganës, Xhaferi tregon se dokumentet ishin nënshkruar në zyrat e tyre me ndërmjetësues.

Pyetje: Ku është bërë kjo kontratë me Zyrën ndërlidhëse greke?
I dyshuari: Në zyrat e HIB Petrol.

Pyetje: Kush e ka nënshkruar këtë kontratë me Zyrën ndërlidhëse greke?
I dyshuari: Unë e kam nënshkruar pjesën time në emër të HIB Petrollit dhe të vulosur me vulën e zyrës time, ndërsa pjesën tjetër ma ka kthyer të nënshkruar Nazi me dokumentacion shtesë.

Pyetje: Qe sa vite ka kontratë HIB Petrol për furnizim me Zyrën ndërlidhëse greke?
I dyshuari: Nuk jam i sigurt, afërsisht dy tre vite.

Pyetje: A njihni dikë që punon në Zyrën ndërlidhëse greke?
I dyshuari: Jo.

Pyetje: A keni komunikim me Zyrën ndërlidhëse greke dhe çfarë forme e bëni komunikimin me zyrën ndërlidhëse greke me e-mail apo?
I dyshuari: Të gjitha komunikimet janë bërë përmes ndërmjetësuesit.

Pyetje: Qysh e njihni personin i cili është prezantuar si ndërlidhës me zyrën greke, të cilit i referoheni si “Nazi”, a keni numër kontaktues apo ndonjë kopje dokument të tij?
I dyshuari: E njoh përmes kontakteve fizike në restorante, numër kontaktues me sa më kujtohet 049******”, kishte deklaruar Xhaferi para hetuesisë.

Për Nazmi Kastrati i njohur me dy nofka: “Nazi” dhe “Nazbugari”, burime të Shqip, tregojnë se kishte qenë i implikuar edhe në të kaluarën në kontrabandë me naftë.

Në vitin 2010, Kastrati ishte arrestuar nga Policia e EULEX-it bashkë me katër persona të tjerë me dyshimet se në bashkëpunim me pjesëtarët ukrainas të KFOR-it kanë bërë kontrabandë me derivate të naftës dhe të benzinës.

Atë botë, dyshohej për kontrabandim të karburanteve në sasi prej 3 milionë litrash, në vlerë të 1.5 milion eurove.

Shqip ka provuar të kontaktoj me të përmes telefonit, po nuk ka qenë i qasshëm./SHQIP.com