Lajme

Kush është mafia i Shëndetësisë sipas Abelard Tahirit?

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në konferencë për media.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka reaguar lidhur me riemërimin e Arben Vitisë si ministër i Ministrisë së Shëndetësisë.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se ditë të mira për shëndetësinë si duket nuk do të ketë edhe për një kohë.

Tahiri tha se për mafinë e shëndetësisë me gjasë ky durim prej tre muajsh ia paska vlejtur.

“Pas afër tre muaj pritjesh për të reflektuar përballë degradimit të shëndetësisë, degradim që u manifestua edhe tragjikisht, kryeministri Kurti paska vendosur që ta rikthejë në krye të shëndetësisë një ish ministër, i cili, mbahet mend veç për një gjë: strehimin pas videove me mesazhe durimi, kur pandemia rrezikonte jetën e qytetarëve. Ditë të mira për shëndetësinë siç duket, nuk do të ketë edhe për një kohë. A për mafinë e shëndetësisë, me gjasë ky durim prej tre muajsh ia paska vlejtur”, shkroi Tahiri.

Arben Vitia nga sot do të jetë sërish minister i Ministrisë së Shëndetësisë

Emërimi i Vitisë u bë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitia, Ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kujtojmë se që nga 6 tetori, sektori më i rëndësishëm në vend kishte mbetur pa udhëheqje.

Vitia ishte ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti 2, por dorëheqja e tij erdhi me 1 tetor të vitit 2021 për ta vazhduar kandidaturën për të parin e Prishtinës.

Ndonëse, Vitia humbi zgjedhjet në Prishtinë, pozita e ministrit të shëndetësisë, sot iu kthye.

/Shqip.com