Lajme

Kush është Daria Aslamova?

Daria Aslamova.

Gazetarja ruse, Daria Aslamova, është shpallur të dielën person i padëshirueshëm në Kosovë.

Me vendim të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, asaj i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.

“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara, cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla në një postim në Facebook.

Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë ka raportuar më 7 gusht se media ku punon Aslamova – Komsomolskaya Pravda – ka thënë se ajo është liruar nga autoritetet e Kosovës në mëngjesin e së dielës dhe tani gjendet në Serbi.Sipas redaktorëve të saj – që është thënë të kenë kontaktuar me Aslamovan – ajo tani është në Rashkë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, të datës 5 gusht, ajo shihet në fotografi me peshkopin Stefan të Serbisë.

Postimi në rrjetin social në Facebook

Autoritetet e Kosovës kanë shprehur shqetësim edhe në të kaluarën për ato që i kanë konsideruar fushata të Rusisë në Ballkan me qëllim të destabilizimit të rajonit.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përmendur këtë çështje kur ka takuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Uashington.

Osmani ka thënë se përpjekjet e Rusisë përhapen në Ballkan nëpërmjet “satelitit të saj të Serbisë”./Shqip.com