Lajme

Kush çka deklaroi për marrëveshjen e arritur Kosovë-Serbi

Gjatë ditës së djeshme, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josef Borrel ka bërë të ditur se tashmë është arritur marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë sa i përket përdorimit të letërnjoftimeve nga ana e qytetarëve të këtyre dy shteteve.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga vetë ai në rrjetin social në Twitter.

“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane”, ka shkruar Borrel.

Ne i urojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre (2/2), ka shtuar më tutje Borrell.

Po ashtu Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka përshëndetur arritjën e marrëveshjës në mes Kosovës dhe Serbisë sa i përketë përdorimit të letërnjoftimeve nga ana e qytetarëve të këtyre dy shteteve.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka falendëruar edhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar për diplomacinë dhe angazhimin e tij në procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Falenderoj DAS Escobar dhe diplomacinë për angazhimin e tyre të fortë në mbështetje të Dialogut të lehtësuar”, shkroi Lajçak duke e ripostuar edhe postimin e Josep Borrellit.

Ndërsa Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon, ka përshendetur arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për letërnjoftime.

Përmes një reagimi në Twitter ajo është shprehur se shpresoj që zbatimi i shpejtë do të dërgojë në gjetjen e zgjidhjes së targave të makinave.

Arritjen e marrëveshje Kosovë-Serbi e ka komentuar edhe Richar Grenell.

Ai ka thënë se Kurti ka arritur marrëveshjen për të cilën Thaçi kishte rënë dakord vite me parë.

“Kështu që@albinkurti ka rënë dakord për çfarë @HashimThaciRKS ka rënë dakord vite më parë… Letërnjoftimet nga të dyja palët edhe një herë pranohen – por kësaj radhe Kurti thotë po. Ai po arrin – le të shpresojmë se do të fillojë të zbatojë edhe marrëveshjet e tjera të mëparshme”, ka shkruar Grenell.

E para e vendit, Vjosa Osmani ka thënë reciprocitet dhe barazi si dhe do të vazhdojnë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke.

Po ashtu edhe kryeministri Kurti, është shprehur se fryma e bisedimeve parimore e të barabarta është Reciprociteti.

“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, ka shkruar ai.

“Reciprocitet e barazi. Liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet. Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke.”, shkroi Osmani.

Sipas Listës Serbe me arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, për serbët që jetojnë në Kosovë, marrëveshja është e një rëndësie të paçmueshme.

Marrëveshja është përkrahur edhe nga kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe nga ana e Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës ka përshëndetur arritjes e marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i këtij këshilli, Charles Michel përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter është shprehur se mirëpret ngrohtësisht marrëveshjen që u arrit sot si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, për të siguruar udhëtime të papenguara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në interes të qytetarëve.

Mirëpo arritja e marrëveshjes, nuk është përkrahur nga Dardan Molliqaj.

Ai përmes një reagimi në Facebook ka thënë se lajmi është Asocioacioni i Komunave me shumicë serbe.

“Lajmi është AKS.Siç duke AKS ka gjetur formulën depërtuese. Marrëveshjet e vogla janë shkallë për të arritur tek Asociacioni. Nga qëndrimet e forta kundër, me vrull e shpejtësi drejt tij. Në theqafje”, ka shkruar fillimisht Molliqaj.

Lidhur me këtë marrëveshje nuk ka pasur reagim nga ana e Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut./Shqip.com