Lajme

Kusari për tërheqjen e mjeteve nga Trusti: Është kërkesë shumë e dëmshme

Mimoza Kusari

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se vazhdojnë të jenë kundër tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga fondi pensional.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kusari tha se tërheqja e 30 për qind e mjeteve do të shkaktonte dëme sistemit pensional.

“Është kërkesë shumë e dëmshme sepse e shkatërron një sistem pensional. Dhe, vendimi tjetër mund të jetë mbyllja komplet e kursimeve pensionale”, tha ajo.

Ndërsa, shtoi se me këtë qëndrim pajtohën të gjithë deputetët e LVV-së.

“Përderisa nuk ka pas asnjë zë tjetër për të kërkuar këtë iniciativë, po flas se për tre muaj sa qarkullon kjo kërkesë, brenda grupit parlamentar të VV-së nuk ka pas kërkesë për ndryshim të votimit apo opinionit tonë”, tha ajo.

Lexo edhe:
Nis protesta pro tërheqjes së mjeteve nga Trusti, të pranishëm deputetë të PDK-së e AAK-së-

Theksojmë se Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale është shqyrtuar më 25 maj.

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt të sjellë në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.

Ndërsa më nëntë mars, deputeti Bekim Haxhiu nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

“Po me nëntë mars e kam dorëzuar projektligjin për tërheqjen e Trustit deri në 30 për qind, kjo është një kërkesë nga një numër i madh i qytetarëve”, ka thënë Haxhiu për Shqip.com.

Gjithsej 427 mijë e 371 qytetarë të Kosovës bënë tërheqje të shumave të ndryshme nga Fondi i Kursimeve Pensionale, aplikim ky që filloi nga 11 dhjetori i vitit 2020 dhe që mbaroi më 06 prill të këtij viti.

Për katër muaj sa zgjati aplikimi për tërheqje të 10 për qind të shumës së kursyer nga Fondi Pensional nga qytetarët, vlera e tërhequr ishte mbi 197 milionë. Fond ky që deri në 120 milionë euro pritet të rimbursohen në afat prej 5 viteve të ardhshme./Shqip.com