Lajme

Kusari-Lila: Hapni shkollat, le të filloj mësimi nesër

Mimoza Kusari

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar që të hapen shkollat nesër si dhe procesi mësimor të filloj.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila tha se agonia e cila po vazhdon për nxënësit duhet të mbaroj që nesër.

“Hapni shkollat, le të fillojë mësimi nesër. Agonia e cila po vazhdon për nxënësit lidhur me (mos) fillimin e mësimit, duhet të mbarojë nesër në gjithë Kosovën, pa dallim kush e udhëheq cilën komunë, apo cila parti udhëheq me cilën drejtori komunale të arsimit”, shkroi Kusari.

Kusari-Lila tha se arsyetimi që të mos pranohen 50 eurot e Qeverisë nuk është i qëndrueshëm me dëmin që po ju shkaktohet fëmijëve dhe procesit mësimor.

“Për gjeneratat që kanë përjetuar shkollat/shtëpi e përpjekjet e jashtëzakonshme të mësimdhënësve vetëm e vetëm të mos ndërpritet procesi mësimor, arsyetimi se “50€ nuk janë sa kemi kërkuar, kërkojmë 100€ deri në miratimin e ligjit të pagave”, nuk është arsyetim i qëndrueshëm krahasuar me dëmin që po i bëhet fëmijëve dhe gjithë procesit mësimor”.

Sipas Kusarit, me Projektligjin për Paga, mësimdhënësit dhe pagat e tyre do të jenë më meritoret.

“Tash kur ka filluar procesi i diskutimit publik të Projektligjit për Pagat, kur dihet që brenda këtij viti shkollor pagat e mësimdhënësve do të jenë ato meritoret dhe të cilat pas tetë viteve do të reflektojnë ndryshimin e merituar, mohimi i të drejtës elementare për mësimnxënie dhe mësimdhënie, është destruktiv dhe me pasoja të rënda për nxënësit në mbarë Kosovën”.

Tutje, Kusari apeloi tek drejtuesit e shkollave dhe stafi arsimor që të fillojnë procesin mësimor që nga e hëna.

Lexo edhe:
Jasharaj: Greva do të vazhdoj, viti i ri shkollor nuk do të filloj nesër

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka thënë se greva do të vazhdoj dhe se viti i ri shkollor nuk do të filloj ditën e hënë.

Përmes një lidhje direkte në RTK, Jasharaj ka thënë se është kërkesë e anëtarësisë që nëse nuk ka dialog, greva të mos ndërpritet.

“Ka qenë kërkesë e anëtarësisë që nëse nuk arrihet dialogu të kemi grevë. Greva ka filluar me 25 gusht dhe vazhdon ngase nuk e kemi asnjë takim serioz. Kjo pakoja që përmendet, ne e përgëzojmë Qeverinë që po i ndihmojnë të gjithëve por kjo nuk është realizim i kërkesave tona”, tha Jasharaj.

Lexo edhe:

MASHTI fton mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nga nesër të fillojnë vitin e ri shkollor

Por, për kërkesën e MASHTI-t ndaj mësimdhënësve që nesër të filoj viti i ri shkollor, Jasharaj tha se kjo ministri është dashur që të angazhohet që të ndikoj tek Qeveria që të ketë dialog me grevistët.

“Ne kemi bërë aktivitete dhe angazhime dhe Ministria e Arsimit është dashur që angazhimet t’i orientoj në mënyrë që të ndikoj të Qeveria për dialog i cili ka munguar dhe po mungon deri tani”.

Sipas Jasharajt, ata kishin shpresë edhe tek presidentja e Kosovës Vjosa Osmani por që nga takimi me të nuk pati asgjë konkrete

“Ne kishim pak shpresë në takimet që i organizoi presidentja e Kosovës ku ishim në atë takim dhe unë isha si kryetar i BSPK-së ku ja shpjeguam dhe i treguam për të gjitha hallet që kemi dhe kërkesat tona duke e lutur presidenten që të ndikoj që të kemi dialog por nga takimi nuk morëm ndonjë gjë konkrete”.

Lidhur me kërkesën e kryetarëve të komunave në të cilat udhëheq Vetëvendosja që prindërit t’i dërgojnë në shkollë fëmijët e tyre si dhe mësimdhënësit të fillojnë punën, Jasharaj tha se koleget e tij nuk do të luhatën përballë presioneve politike.

“Unë e di se kolegët e mi nuk do të luhatën as ndaj presioneve, vet fakti që komunat që administrohen nga LVV janë takuar është mirë, por ato është dashur që t’i drejtohen kryeministrit me lutjen që të dialogohet”.

Tutje, Jasharaj tha e keqja e gjithë kësaj situate është edhe kërkesa e Ministrisë së Arsimit që prindërit t’i dërgojnë fëmijët në shkollë kur nuk ka se kush t’i mësoj ata dhe kjo konsiderohet presion./Shqip.com