Lajme

Kurti zyrtarizon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme: Kjo është tema

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, të shtunën e 15 janarit do të mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvend për të diskutuar për çështjen e referendumit serb në Kosovë.

Në këtë seancë pritet të nxirret një rezolutë e përbashkët e deputetëve lidhur me referendumin.

Seanca pritet të mbahet duke filluar nga ora 14:00.

“Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në komunikatën për media.

Lexo edhe:
Njohësit e Kushtetutës kundërshtojnë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë: Shkelet rendi juridik dhe kushtetues

Ndryshe, të premten Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje për referendumin e 16 janarit në Serbi.

Përmes një komunikate, thuhet se ato mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë për ndryshimet kushtetuese duke vlerësuar si hap kyç për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Lidhur me këtë, Ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në takim me kryeministrin Kurti, presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca./SHQIP.com