Lajme

Kurti: Zymberi, simbol i përjetshëm i sovranitetit dhe ligjshmërisë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti
Kryeministri i vendit, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar policin e rënë gjatë detyrës, Enver Zymberi në 12-vjetorin e vdekjes së tij duke theksuar se ai do të mbetet simbol i përjetshëm i sovranitetit dhe ligjshmërisë në Republikën e Kosovës.

Në adresimin e tij në mbledhjen e qeverisë, shefi i ekzekutivit përveç përkujtimit të intelektualit, Adem Demaçi në pesëvjetorin e vdekjes së tij, ka theksuar se një vit më parë në të njëjtën datë, ishte caktuar 26 korriku si dita memoriale e policëve të rënë në kryerje të detyrës, datë kjo e cila përkon me përvjetorin e rënies së zyrtarit policor, heroit, Enver Zymberi.

“12 vite më parë, ai u vra nga strukturat kriminale serbe gjatë një aksioni që po zhvillonte Policia e Kosovës në veriun e vendit tonë, ai do të mbetet simbol i përjetshëm i sovranitetit dhe ligjshmërisë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë ndër të tjera se drejtësia dhe dënimi për vrasësit tjerë është domosdoshmëri, ndërsa vijimësia dhe angazhimi i kolegëve të tij në çdo cep të Republikës së Kosovës është “shembulli më i mirë që e kemi mes nesh”.

“Drejtësia dhe dënimi për vrasësit tjerë është domosdoshmëri, ndërsa vijimësia dhe angazhimi i kolegëve të tij në çdo cep të Republikës së Kosovës është” shembulli më i mirë që e kemi mes nesh. Sot bashkë me të po kujtojmë edhe pjesëtarë të rënë gjatë detyrës në situata të ndryshme, që u bënë shembuj të policëve të rinj të cilët sa vijnë e shtohen”.

Ndryshe, të mërkurën, kampi i policisë “Belvedere” në Mitrovicë, do ta marrë zyrtarisht emrin e ri, “Enver Zymberi”, ceremonia e zyrtarizmit të emrit të ri të kampit do të mbahet me fillim nga ora 17:00.

Emri i ri i kampit do të përurohet në ditën memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës.

Enver Zymberi u vra në operacionin e Policisë në veri të Kosovës më 26 korrik 2011. Ai u vra gjatë aksionit për t’i marrë nën kontroll pikat kufitare në Veri.

/Shqip.com