Lajme

Kurti zhvillon bisedë me Blinken lidhur me strehimin e afganëve në Kosovë

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, lidhur me strehimin që Kosova ka bërë për shtetasit afganë, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti tha se Blinken i ka shprehur Kosovës mirënjohje në emër të presidentit të ShBA-së, Joe Biden, për bashkëpunimin dhe ndihmën.

“Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me SHBA-në është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, tha ndër tjerash Kurti.

Më 2 shtator, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me nënpresidentesn e SHBA-së, Kamala Harris, ku kjo e fundit ka shprehur mirënjohjen e tyre për ndihmën e Kosovës lidhur me strehimin e afganëve.

Ndryshe, më 16 gusht, Kosova e miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkaura të Amerikës për strehimin e një numër afganësh që kanë punuar me forcat e huaja gjatë luftës 20-vjetësh në Afganistan dhe të cilët ndihen të pasigurtë nën sundimin e talebanëve.

Deri më tash, Kosova ka strehuar 683 qytetarë afganë, të cilët po qëndrojnë në kampin e “Bechtel-Enkas” në Ferizaj./Shqip.com