Lajme

Kurti: Zgjedhjet lokale duhet të shtyhen, nuk janë sikur ato qendrore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale për shkak se ato nuk janë sikur ato qendrore, njofton Shqip.com.

Pas takimit që ka mbajtur me presidenten, Vjosa Osmani, ai tha se kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për shtyrjen e zgjedhjeve lokale është për shkak se pritet edhe një valë e re e Coronavirusit gjatë muajve që vijnë.

“Situatës me pandemi në mënyrë që ky përmirësim mos të ndalet dhe në mënyrë që të mos kemi valë të re pasi versioni delta është ekskluziv në muajt tetor e dhjetor. Ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve”.

“Sidoqoftë ne nuk e imponojmë qëndrimin tonë dhe do të pajtohemi me cilindo zgjidhje. Nuk janë zgjedhjet lokale sikur ato qëndrore. Nuk votohet vetëm një kandidat por më shumë dhe ka edhe balotazh e nuk votohet vetëm një raund. Kërkojmë të dëgjohet mendimi i ekspertëve shëndetësorë. Ne kemi shprehur qëndrimin si subjekt dhe duhet të presim që të përfundojë takimi konsultativ”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, Kurti së bashku me krerët e partive opozitare kanë zhvilluar një takim me presidenten, Vjosa Osmani, lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, për shkak të gjendjes së rënduar me pandeminë.

Ky takim është thirrur nga presidentja Osmani, teksa të shtunën, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, i ka rekomanduar asaj që të shtyjë datën e mbajtjes së zgjedhjeve për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Coronavirus./Shqip.com