Spiropali akuza Ballukut: Na vijnë te dyert e familjeve kur flasim për “shefen”. Përdorin institucionet për gjoba dhe shantazhe
Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka bërë deklarata të forta gjatë fjalës së saj në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke ngritur akuza për presion, intimidim dhe përdorim të institucioneve për interesa personale.
Ndonëse nuk e përmendi drejtpërdrejt me emër, Spiropali la të kuptohej se kritikat e saj lidheshin me Belinda Ballukun, duke përdorur termin “shefja”.
Ajo denoncoi raste të pretenduara të presionit ndaj socialistëve që shprehin kritika, duke deklaruar se persona të caktuar shkojnë deri në dyert e familjeve të tyre.
“Këta që na vijnë ne nëpër dyert e familjeve sa herë themi një fjalë për ‘shefen’ apo për ‘shefin’. Kush janë këta? Këta që përdorin çdo mjet të mundshëm, nga gjobat dhe shantazhet, tek përdorimi i institucioneve dhe çojnë letra që janë në besim të institucioneve, i çojnë duke përdorur njerëz dhe paguar portale”, deklaroi Spiropali.
Spiropali, mësohet se gjithashtu kritikoi drejtues të institucioneve, të cilët i akuzoi për mungesë integriteti dhe për shërbim ndaj individëve të caktuar, në vend që të veprojnë në interes të qytetarëve.
“Në krye të këtyre institucioneve shkojnë njerëz pa asnjë lloj merite, publike, politike, njerëzore! Pa asnjë masë integriteti! I shërbejnë vetëm një apo dy njerëzve. Të verbër!”, mësohet të ketë thënë ajo.
©️Shqip.com