Lajme

Kurti: Zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje do të mbahen me 25 shtator

Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, do të mbahen me 25 shtator.

Ai ka thënë se këto zgjedhje të brendshme e gjejnë Lëvizjen Vetëvendosje në pozitën më të mirë të mundshme në aspektin politik.

Kurti ka ftuar po ashtu të gjithë që të japin kontributin e tyre në zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në fund të shtatorit.

“Për katër vitet e ardhshme nuk do të ketë proces të brendshëm më të rëndësishëm se sa ky. Të ardhshmet do të jenë në vitin 2026.. Andaj është e domosdoshme që të përgatitet organizata jonë për këto zgjedhje për pjesëmarrje sa më të madhe”, është shprehur Kurti.

Ai nuk ka treguar nëse përsëri do të jetë kandidatë për t’u rizgjedhur kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti ka thënë se fjalën e tij për këtë do ta thotë në momentin kur të hapet kandidatura për zgjedhjet e brendshme.

Ai tha se LVV-ja do të ketë edhe dy struktura të reja, të Gruas për Vetëvendosje, dhe Rinisë për Vetëvendosje

“14 mijë e 641 gra dhe vajza anëtare në lëvizjen tonë, do ta kenë organizatën e tyre e po ashtu edhe 17 e 331 të rijnë e të reja do ta kenë organizimin e tyre brenda LVV” ka thënë Kurti

Kryetari i LVV-së tha se do t’i zgjedhin strukturat drejtuese dhe ato të deleguara të partisë për secilin vendbanim, ndërsa theksoi krijimin e një rregulloreje të re për mërgatën./Shqip.com