Lajme

Kurti vlerëson rolin e grave që folën publikisht për dhunën seksuale gjatë luftës

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas të mërkurën, kryeministri Albin Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë me një fjalim mbështetës për gratë dhe vajzat në Kosovë.

Kurti ka vlerësuar rolin e grave që kanë folur publikisht për dhunën seksuale që e kanë përjetuar gjatë luftës, ndërsa ka pasur fjalë edhe për kontributin e tyre në luftën çlirimtare dhe përgjatë gjithë historisë.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë të këmbëngulin që të mbijetuarave nga dhuna seksuale t’u njihet statusi, e që një gjë të tillë e ka konsideruar si proces të rëndësishëm për historinë dhe shtetin.

“Nderojmë e kujtojmë kontributin e grave në luftën çlirimtare dhe përgjatë gjithë historisë. Nuk harrojmë dhimbjen e madhe që nuk kalon dhe një plagë të madhe që shteti e ka obligim ta shërojë. Po e vazhdojmë procesin e aplikimit për njohjen e statusit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Një proces i rëndësishëm për historinë dhe shtetin tonë dhe një parakusht për ndërtimin e paqes në vend. Nderojmë rolin e të mbijetuarave që kanë folur publikisht për rastet e tyre, e veçanërisht Vasfije Krasniqin që është avokuese e zëshme në vendin tonë dhe ndërkombëtarisht”, ka thënë Kurti.

Po ashtu Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së sotme ka vazhduar edhe për dy vjet mundësinë e aplikimit për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës.

Në fjalën e tij para anëtarëve të kabinetit qeveritar, Kurti ka bërë thirrje të mbijetuarve të dhunës seksuale që të aplikojnë për njohjen e statusit në një proces që është kofidencial.

“Të mbijetuarit e dhunës seksuale, gratë dhe burrat kanë nevojë për drejtësi, kanë nevojë për përkrahje shoqërore, për të luftuar stigmën me të cilën po përballen ende”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se qeverisja e udhëhequr prej tij do të vazhdojë të luftojë për më shumë të drejta për gratë.

/Shqip.com