Lajme

Kurti viziton Suharekën pas situatës së rënduar nga zjarret

Kurti viziton Suharekën

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka pritur në takim mëngjesin e së martës kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, njofton Shqip.com.

Vizita është realizuar pasi tash e disa ditë kjo komunë është duke u ballafaquar me disa vatra zjarri.

Kurti në Suharekë është informuar nga zyrtarët e zjarrfikësve për gjendjen, të cilët thanë se aktualisht është stabile

Fillimisht zjarri ka përfshirë Zonën Industriale në Shirokë, e më pas janë përhapur edhe vatra të tjera.

Kujtojmë se, gjatë së hënës, Muharremaj ka deklaruar për Klan Kosovën se gjendja është e rënduar dhe kapacitetet i kanë të vogla.

“Gjendjen e kemi të rëndë, por jemi duke u munduar që ta kontrollojmë. Kemi kërkuar ndihmë edhe prej FSK-së, por i kemi kapacitetet shumë të vogla, ku kemi vetëm 12 zjarrfikës.

Temperaturat janë të larta por përveç temperaturave kemi edhe një erë të fortë gjë që e ndihmon rritjen e zjarrit”, është shprehur ai./SHQIP.com