Lajme

Kurti viziton Policinë e Kosovës: S’do të ndalemi së kërkuari drejtësi për krimet e luftës

Xhelal Sveçla, Albin Kurti dhe Gazmend Hoxha

Kryeministri i vendi, Albin Kurti, gjatë vizitës që bëri sot në Policinë e Kosovës, ka ritheksuar edhe njëherë zotimin për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk parashkruhen e as nuk vjetrohen asnjëherë.

Në njoftim thuhet se kriminelët e luftës dhe urdhërdhënësit e tyre duhet nxjerrë para drejtësisë.

“Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Së bashku me  Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryeministri Kurti vizitoi Drejtorinë e porsa themeluar për Hetimin e Krimeve të Luftës, që në të kaluarën ka qenë në nivel sektori. Sipas strukturës së re organizative, drejtoria parashihet të ketë 41 zyrtarë hetues”, thuhet në njoftim.

Në takimin e përbashkët me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, Gazmend Hoxha,  Drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të emëruar së fundmi, Bashkim Spahiu, hetuesit dhe zyrtarët e kësaj drejtorie, u ritheksua zotimi i Qeverisë për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës.

Përderisa që nga nesër do të fillojnë punën 15 hetues të rinj, procesi i rekrutimit do të vijojë deri në plotësimin e totalit të zyrtarëve të planifikuar me strukturë, pra 41 sosh.

/Shqip.com