Lajme

Kurti vizitoi kontingjentin e ushtarëve të FSK-së që po zhvillojnë trajnime në Iowa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ushtarët e FSK-së në SHBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë vizituar kontingjentin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po zhvillojnë trajnime së bashku me ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s.  

Kryeministri Kurti është duke vazhduar takimet e tij në Iowa, dhe i njëjti ka takuar ushtarët Lulëzim Statovci, Fidan Nishevci, Arianitë Prushi dhe Malsor Haxhiu. 

“Duke theksuar se Garda Kombëtare e Iowa-s ka qenë dhe vazhdon të jetë kyçe në ngritjen profesionale të FSK-së dhe në përgatitjen profesionale drejt arritjes së standardeve të NATO-s, kryeministri Kurti vlerësoi edhe bashkëpunimin e vitit të kaluar, kur së bashku me trupat amerikane të Gardës Kombëtare të Iowa-s, FSK realizoi misionin e parë dhe historik të zbarkimit në shtetin e Kuvajtit”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Kryeministri Kurti u ka shprehu mirënjohje ushtarëve për krenarinë që na e sjellin me përkushtimin e tyre për t’i shërbyer vendit.

“Kurti tha se angazhimi i përditshëm në trajnime për të avancuar aftësitë dhe shkathtësisë e tyre dhe forcës sonë është jetik në përkushtimin e Republikës së Kosovës për stabilitet dhe siguri në rajon. Nëpërmjet rritjes së buxhetit për mbrojtje për 52%, ai tha se Qeveria po dëshmon synimin e saj që duke ngritur kapacitetet profesionale të FSK-së të kemi një forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese për të mbrojtur vendin, por edhe të bashkëpunojë me partnerë e aleatë në ruajtje të paqes në rajon e botë”, ka thënë Kurti. 

Në këtë vizitë Kryeministri kosovar ka falënderuar pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s për mbështetjen e tyre për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për partneritetin e ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës.​/Shqip.com